Kurti për Byronë që e premtoi: Boll e shtyva, do ta bëj

E publikuar: 24/01/2025 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreshti u bë i gjatë, e konkurrenca e fortë.

Secili nga këta lobues po i bën reklamë të përzgjedhurit të vet, e atyre që erdhën, duart ua mbushën me karta e numra.

Sa u rehatuan brenda, të tubuarve iu tha të dalin jashtë.

Në këtë hallakamë, është zor të menaxhohet kush ku të rrijë.

Lehtë nuk e pati as pretendenti për ta vazhduar edhe një mandat pozitën e kryeministrit.

Brohoritjeve që po bëheshin për partinë e tij, Albin Kurti iu bashkua edhe vetë.

Prania e tij, por as e tjerëve, nuk i bëri Albulena Haxhiut aq përshtypje, sa shpalosja e një flamuri.

Pak instruksione dha edhe Kurti.

Ky u tregoi vitiasve çfarë duhet të bëjnë kur të shkojnë te kutitë e votimit, në mënyrë që t’ia heqin atij “frikën” e nevojës për bashkëqeverisje.

Kurti e pranoi se në katër vjetët e kaluara nuk ia doli ta realizojë një premtim, por tha se atë do ta bëjë realitet në një 4 vjeçar të ri, potencial.

Edhe këtu, si nëpër disa tubime tjera, thirrjen për ta votuar Vetëvendosjen, Kurti e bëri duke kombinuar numrin e partisë në listë zgjedhore me zë të rritur.

Nuk dihet nëse e pengoi zëri i lartë apo jo, por një nga ata që ishin në këtë tubim, e i cili nuk ka votë për Kurtin e Vetëvendosjes, me gjasë ia shkuli disa fije floku mysafirit.

Misioni i një tjetri vitias, për t’ia vënë një plis në kokë kryefolësit, në atë kohë, u pamundësua.

Megjithatë Kurti duarthatë s’u largua.

Një takim krejt më i zbehtë Kurtin e priti në Llabjan të Novobërdës.

Ai foli këtu edhe për siç tha, pazaret e mëhershme që pushtetarët paraardhës të tij bënë me Serbinë dhe strukturat e saj në Kosovë, por nuk përmendi në asnjë moment muhabetet e bashkëpunëtores së tij, Mimoza Kusari Lila me të akuzuarit për terrorizëm në Banjskë, Milan Radoiçiq.

E në rast se dëgjohet një thirrje e bërë këtu si të votohet me 9 shkurt, është e sigurt se asnjë kokërr zgjedhore nuk i shkon Vetëvendosjes.