Problemet në Ballkan kanë thellësi dhe kjo ka të bëjë me historinë nga e cila duhet marrë mësime, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për TRT World, duke u përgjigjur në pyetjen se pse Perëndimi po shtyn para një Asociacion njëetnik në Kosovë.
“Për këtë duhet të përgjigjën të tjerët”, i tha Kurti gazetares e cila po e intervistonte pyetur se pse Perëndimi po e shtyn para këtë Asociacion.
“Shumë shpesh duket që një ujdi është aty në kënd, kështu që le ta bëjmë në mënyrën më të shpejtë”, tha Albin Kurti, derisa u kthye të rikujtojë historinë e krijimin të entitetin serb të Bosnjës.
“Duhet ta marrim seriozisht të ndjerin diplomat amerikan, Richard Hollbrooke, i cili u pendua në vitin 2005 që para 10 viteve më 1995 lejuan këtë entitet në Bosnje-Hercegovinë të quhet Republikë Serbe”, tha Kurti.
Duke folur për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha ato nuk derivojnë vetëm nga ajo që s’ka ende një marrëveshje mes palëve, por “nga vetë karakteri i shtetit serb”.
“Serbia e konsideron Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si shtete të përkohshme”, tha ai, derisa shtoi se Serbia “de jure” e njeh Bosnjen “por e lufton çdo ditë”./Insajderi/