Kurti pas votimit në Asamblenë Parlamentare: Ditë e madhe për Kosovën, një hap me afër anëtarësimit të plotë

E publikuar: 16/04/2024 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare ka votuar pro draftit që parashihte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se faza e fundit është mbledhja e ministerialit, që pritet të mbahet në maj.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, ka shkruar ai.

“Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, thuhet më tej në postimin e tij.

Me 171 votues pjesëmarrës, 131 pro, 29 kundër dhe 11 abstenime Kosova ka marrë dritën e gjelbër nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës.