Kurti pas takimit me senatorët: Dialogu pas 24 shtatorit nuk mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë

E publikuar: 13/10/2023 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch është diskutuar për agresionin e 24 shtatorit.

Kurti shtoi se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Mbi të gjitha dëshiroj të falënderoj ata për mbështetjen e fortë ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit. Siguria në Kosovë ishte pika kryesore e temës sonë dhe ua prezantova senatorëve të dhënat e freskëta pas sulmit të 24 shtatorit.”

“Gjithashtu theksova se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Duhet marrë parasysh përpjekjet e Serbisë. Duhet të ndërmerren hapa në mënyrë që dialogu të ketë shans. Është me rëndësi që të kemi një qasje të balancuar.”

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa për mbështetjen e sulmeve terroriste në Banjskë. Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, përmes një themelimi të një korridori për furnizim të armëve në veriun e Kosovës.” – tha Kurti.

“Institucionet tona të inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut nga grupet kriminale serbe. Prandaj të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndërpriten tani, është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse”, ka thënë shefi i qeverisë.

Ndërsa senatorja Jeanne Shaheen në fjalën e saj ka ritheksuar se përgjëgjësit për sulmet e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë në hetime.

“Ne patëm plane që të udhëtonim nëpër rajon, por kur dëgjuam për ngjarjet e 24 shtatorit, vendosëm që të vijnë këtu dhe të ndajmë shqetësimet tona. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit të japin llogari sipas sundimit të ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojnë në hetimet e vazhdueshme”, ka thënë ajo.

“Mendojmë se është një përkujtim i mirë se stabiliteti afatgjatë i Kosovës nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë. Është koha kur ShBA-ja dhe BE-ja të jenë të përqendruara në këtë rajon për të adresuar shqetësimet”, ka shtuar senatorja.

Më tej, ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës e dinë se çka është lufta dhe se nuk dëshirojnë një përsëritje të saj.

“Nuk duam që të ketë më shumë konflikte sikur në Ukrainë. Prandaj stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Më erdhi mirë që pashë rritjen e numrit të KFOR-it. Ne do ta mbështesim stabilitetin”, ka potencuar Shaheen.