Kurti: Panairet të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e vendit, diaspora urë-lidhëse për investime direkte

E publikuar: 15/05/2024 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS, është i rëndësishëm për zhvillimin dhe promovimin e vendit, raporton Ekonomia Online.

Në edicionin e 23-të të Panairit Ndërkombëtar EXPOKOS, kreu i ekzekutivit tha ka falënderuar mërgatën për kontributin e dhënë për Kosovën, teksa e quajti diasporën urë-lidhëse për investime direkte dhe për turizmin në Kosovë.

“Kur e pash këtë emërtim, EXPOKOS, më shkoj mendja tek eksploro Kosovën, që paraqet një thirrje për të hulumtuar vendin tonë të bukur e të pasur që të zbulohen edhe trevat dhe bizneset. Ato ofrojnë një mundësi të çmuar për bizneset, pra që ndihmon bizneset të ecin përpara në treg. Vendi ynë ofron qasje të përshtatshme në tregjet evropiane. Po dëshmojmë se demokracia e mirëfilltë e mundëson dhe mbështet zhvillimin ekonomik. Rritja e ekonomisë sonë në tre vitet e fundit është mbështetur nga rritja e dyfishtë e investimeve të huaja”, tha Albin Kurti.

“Kosova në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit dhe modernizimit në sektorin privat po shënon hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm, pozicionuar në një pikë strategjike në Evropën Juglindore. Vendi ynë ofron qasje të përshtatshme në tregjet evropiane në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend e investime miliardëshe. Ai përmendi edhe një Raport të Bankës Botërore që sipas tij e radhit Kosovën me rritjen ekonomike më të madhe në Ballkan.

“Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova udhëheq me rritjen e saj ekonomike në Ballkanin Perëndimor për periudhën 2023-2025 duke u shfaqur si model i suksesit dhe transformimit. Dyfishimi i eksporteve, rritja në punësim për 20 për qind krahasuar me pranverën e vitit 2021. Kosova planifikon projekte ambicioze që kalojnë shifrën 7 miliardë euro”, tha Kurti.

Panairi do jetë i hapur edhe edhe nesër nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Ky edicion do të vazhdojë të mbulojë sektorët e energjisë, ndërtimit, minierave, makinerisë dhe mbrojtjes dhe sigurisë.