Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur angazhimin e jashtëm publik me festivalin “Manifesta”, me pritjen që ka organizuar për gazetarët ndërkombëtarë dhe vendorë, në tarracën e Hotelit Grand.
“Manifesta katërmbëdhjetë” në Prishtinë është lajmi më i mirë që mund të kemi për këtë verë për kaq shumë komunitete të ndryshme, ka thënë kryeministri Kurti në fjalën e tij para gazetarëve. Roli i gazetarisë së kulturës, sipas kryeministrit, është ta bëjë të arritshme të magjishmen, që arti të jetë ndryshues i jetës, që ai të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme. Pa kritikën, kultura është e pabazuar; pa reporterin, arti shuhet, ka shtuar ai.
“Aktualisht, hapësirat kryesore në media janë të mbushura me luftëra, ngrohje globale, inflacion e kështu me radhë. Megjithatë, jeni ju, gazetarët e artit, që ofroni një shteg të madh për reflektim nëpërmjet mbulimit tuaj të ngjarjeve kulturore, lidhjeve që na lidhin së bashku”, ka thënë kryeministri.
Ministria e Kulturës po punon për krijimin e një muzeu të artit bashkëkohor, andaj, siç tha kryeministri,“Manifesta” vjen në kohën e duhur sepse e gjithë përvoja e fituar nga “Manifesta” do të jetë vendimtare në themelimin e këtij muzeu.
Ai ka shprehur shpresën që deri në festivalin e radhës “Manifesta”, do të mund të ndahen lajme shumë të mira në lidhje me përparimin e muzeut të artit bashkëkohor të Kosovës.
Kryeministri ka përshëndetur edhe gjashtë gazetarët nga Ukraina, të cilët ishin të pranishëm në pritjen e organizuar dhe ka shprehur simpatinë, empatinë, admirimin dhe solidaritetin për luftën çlirimtare të popullit të Ukrainës, transmeton KlanKosova.tv.