Ka disa muaj që Gjermania dhe Franca janë rikthyer fuqishëm në përpjekjen e tyre për të arritur një lloj marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Scholz dhe Macron përmes top-këshilltarëve politikë kanë dorëzuar në Prishtinë dhe Beograd propozimin e tyre për të cilin edhe kanë kërkuar komente nga Kurti dhe Vuçiqi. Kurti dje për herë të parë tha se plani përbën një bazë të mirë derisa e potencoi fort se Vuçiq tashmë e ka refuzuar ofertë. Evropianët pohojnë se ende janë duke i studiuar përgjigjet e palëve.
Duke qenë se palët ishin pajtuar për të ruajtur përmbajtjen e një propozimit franko-gjerman, në media dhe nëpër studio televizive kishte raportime e analiza të ndryshme për përmbajtjen potenciale të një nisme të tillë dhe nëse plani franko-gjerman është i mirë për Kosovën.
Duke folur për këtë plan, Emisari amerikan Gabriel Escobar ka deklaruar se ShBA-të e mbështesin njohjen reciproke, por se thelbi i dialogut është që palët të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet.
“SHBA mbështet njohjen reciproke. Mendojmë se kjo do të ishte më e mira për rajonin. Por thelbi i dialogut është që të dyja palët të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet atyre. Nëse ka një zgjidhje që funksionon për të dyja palët…”, ka thënë Escobar.
Pikërisht për faktin që mungon njohja e Kosovës, ose siç ka thënë Kryeparlamentari Konjufca se palni e ka njohjen de facto, Kosova kishte reaguar me rezerva.
Shefi i ekipit negociator të Kosovës gjatë pjesëmarrjes “online” në Forumin e Sigurisë në Beograd kishte folur për nismën e Scholz dhe Macron duke e cilësuar si diçka që i shkon përshtati kërkesave të Serbisë.
“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë Bislimi.
Por, Kurti e ka përmbysur mbrëmë këtë qëndrim.
Pavarësisht kësaj deklarate të Bislimit, disa ditë pas Qeveria e Kosovës, konkretisht kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman është hap në drejtimin e duhur, meqë sipas tij nocionet e përdorura brenda tij janë vlera dhe dallojnë nga marrëveshjet që janë bërë më herët.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, duke qenë se konceptet dhe nocionet që përdoren janë vlera, për dallim prej dakordimeve të më hershme që ishin përbrenda ideologjisë së zgjidhjes së problemeve”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Kurti në konferencën e mbajtur të hënën në ndërtesën e Qeverisë, ka thënë se nuk e ka refuzuar përmbajtjen e propozimit të Scholz dhe Macron dhe se të njëjtin e ka pranuar me disa vërejtje dhe kritika.
“Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë që janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, ua kam thënë edhe atyre vërejtjet, kritikat e mia. Mirëpo unë s’e kam kundërshtuar atë propozim”, është shprehur Kurti.
Ai tutje ka vazhduar me kritika drejt Beogradit duke thënë se është pikërisht Serbia ajo që e ka refuzuar propozimin e Berlinit dhe Parisit dhe se tashmë po kërkon që të tensionojë situatën në veri në përpjekje e sipër për të mbuluar refuzimin që ia kanë bërë propozimit franko gjerman.
Nga Bashkimi Evropian ndërkohë kanë konfirmuar se kanë pranuar komentet e Kosovës dhe Serbisë për iniciativën franko-gjermane dhe se të njëjtat janë duke i analizuar.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë ndër të parët liderë rajonal që ka dhënë përkrahje për nismën franko-gjermane dhe i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që ta pranojnë meqë është një shans shumë i mirë.
Ndërkohë nga Qeveria Federale e Gjermanisë kur kanë folur për tensionet e fundit në veri, kanë bërë thirrje për qetësi dhe dialog. Ata gjithashtu kanë theksuar nevojën për arritjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kanë thënë se për një gjë të tillë do t’i vazhdojnë përpjekjet bashkë me Francën./Express/