Kurti: Nga e diela e kaluar asgjë më nuk është njësoj, plani i tyre ishte nisja e një lufte të re

E publikuar: 30/09/2023 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë fjalës së tij në mbajtjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kryeministri Albin Kurti foli edhe njëherë për ngjarjet në vend që nga sulmi terrorist i së dielës, në veri të vendit.

Kurti thotë se qëllimi i sulmit të armatosur nga një grup i terroristëve serbë, më 24 shtator, ishte nisja e një lufte të re në Kosovë.

“Nga sulmi i tyre qyqar u vra polici ynë, rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici kufitar Alban Rashiti. Me dhimbjen për Afrim dhe lehtësimin që Albani po mjekohej shpejtë menjëherë reaguam shpejtë duke e vënë perimetrin e sigurisë rreth fshatit Banjskë ku ishin strehuar terroristët. Kërkuam që ata të dorëzohen, por ata kishin ardhur me një skenar të tyrin që me sukses iu përgjigj PK-ja duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën”, ka thënë ai.

Ai thekson se kishte armatim për qindra luftëtarë.

“Kemi gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro dhe sasi të armatimit për qindra luftarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake, municioni dhe pajisjet e tjera, direktivat politike dhe strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike, të gjitha vinin nga Serbia.”

Kurti theksoi se nga e diela e kaluar asgjë më nuk është njësojë.

“Kësisoj nga e diela që e lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet janë sheshtazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri, u qartësua e u vërtetua.”

“Në Republikën tonë nuk ka vend për terrorist veçse përpara drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e qe janë strehuar nga Serbia të ekstradohen në Kosovë.”

“Falenderoj institucionet e drejtësisë dhe Policinë e Kosovës që deshmuan profesionalizeëm të jashtëzakonshëm për ta mbrojtur këtë popull. Asnjë civil i lënduar apo i plagosur gjatë këtij intervenimi. Puna e tyre na beën të ndihemi të mbrojtur dhe të sigurt, dhe secilin prej neve na bën edhe krenar.”, tha ndër të tjera Kurti.