Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Londër ku do të marrë pjesë në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ky Samit do të fillojë punimet nesër.
Në këtë takim do të marrin pjesë të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është që të prezantohen sektorët me mundësi të mëdha investimi.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, apo shkurt BERZH, ka për qëllim përdorimin e investimeve si një mjet për të ndërtuar ekonomitë në vendet që janë në zhvillim.
Qeveria e Kosovës do të shkojë me kërkesa specifike për ndihmë në fonde nga donatorët, ashtu si edhe qeveritë e rajonit.
Pritet që në këtë takim të jetë e pranishme edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Brnabiq nuk ka qenë e pranishme në Konferencën e Sigurisë në Munih, andaj ky pritet të jetë takimi i parë i saj me Kurtin.
Kurti ka bërë të ditur se është kundër një minishengeni ballkanik dhe ka premtuar që do të kërkojë llogari në dialogun me Serbinë për dëmet në luftën e Kosovës. Po ashtu, Kurti u incizua duke thënë brenda konferencës se ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.
BERZH ka kohë që përmes donatorëve investon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është një ndër rajonet me prioritet në agjendën e kësaj banke dhe deri më tani investimet kanë arritur shifrën e 12 miliardë dollarëve. /Express/