Me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Vjosa Osmani kryeparlamentare dhe Albin Kurti, kryeministër, vizituan sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë të veçantë ka nderin dhe kënaqësinë në emër të Kuvendit të Kosovës t’i drejtohet ushtrisë së Kosovës, e cila është i sinonim i shtetësisë dhe mbrojtjes.
“Në këtë kazermë që mban emrin e Adem Jasharit, shembullit të sakrificës dhe pavarësisë që gëzojmë sot, amaneti është i çuar përpara, sepse kemi ushtrinë dhe shtetin tonë. Ju jeni përkrahësit më të mëdhenj të paqes. Sot unë dua të ju them që ju keni sakrifikuar në momentin që e keni vendosur uniformën. Nuk ka sakrificë më të madhe se sa të luftosh për vendin dhe për të mirën e tij. Forcat tona do të konsolidohen si forca ndërvepruese me forcat ushtarake të NATO”, tha Osmani duke shtuar se do të punojnë pa reshtur që të bëjnë Kosovën vend të sigurt, si dhe anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti foli për idenë e tij për shërbimin ushtarak.
“Detyra që ju e bëni më përkushtim dhe dashuri, uniforma juaj është mishërimi i sakrificës kombëtare. I keni bërë krenarë qytetarët dhe keni lartësuar vendin me atë që keni bërë në Shqipëri. Do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, sepse përvojat në shërbimin ushtarak na duhen. Shërbimin ushtarak nuk e po e bëjmë për të sunduar, sepse asnjëherë nuk kemi pushtuar tokat e huaja, por çdo herë do të mbrojmë çdo cep të vendit tonë”, tha ai.
Po ashtu edhe Kurti tha se prioritet i qeverisë mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE.