Kurti në ceremoninë e nderimit të Vincenzo Pagilas në Pejë: Më 1993 ia aranzhoi takimin me Papën Ibrahim Rugovës

E publikuar: 02/04/2025 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marr sot pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit ‘’Doctor Honoris Causa” për Vincenzo Paglia, për të cilin i pari i qeverisë ka thënë se ishte imzot Pagalia ai që i ka kushtuar vëmendje Kosovës në një periudhë që kjo e fundit nuk e gëzonte aq vëmendjen e botës.

Kurti ka theksuar edhe se, ka qenë Imzoti Paglia ai që e kishte caktuar takimin e parë të presidentit Ibrahim Rugova me Papën Gjon Pali II në mars të vitit 1993, takim i cili, siç ka deklaruar kryeministri, e ka kthyer një faqe në historinë në vendin tonë, në mënyrë esenciale.

“Përmes traditës së tij të krishterë, miku ynë më i dashur, Vincenzo Paglia, ia përkushtoi shumë dekada miqësie popullit dhe vendit tonë’’, ka thënë ai mes tjerash.

Po ashtu, Kurti ka deklaruar edhe se Pagalia me integritetin dhe zellin e tij e ka që një miqësi e vërtetë është një lloj dashurie, që nuk i përgjigjet vlerës paraprake të objektit të vet.

Komunikata:

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit ”Doctor Honoris Causa” për S.E.R. Mons. Vincenzo Paglia nga Universiteti “Haxhi Zeka”

Pejë, 2 prill 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për S.E.R. Mons. Vincenzo Paglia nga Universiteti “Haxhi Zeka”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në promovimin e arsimit, të drejtave të njeriut dhe dialogut ndërfetar.

Të mbledhur për të nderuar imzotin Vincenzo Paglia, mikun e madh të kombit tonë, kryeministri Kurti kujtoi periudhën kur ai hidhte dritë mbi Kosovën dhe ngjarjet e dhimbshme në vitet e ’90-ta, kur vendi i nënshtrohej dhunës sistematike nga ana e Serbisë.

“Asokohe, kur pjesa tjetër e botës nuk po i kushtonte shumë vëmendje Kosovës, imzoti Paglia e solli atë në vëmendjen e Papës. Imzoti Paglia kishte caktuar takimin e parë të presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova, për t’u takuar në mars të vitit 1993 me Papën Gjon Pali II. Ky takim, në mënyrë esenciale, ktheu një faqe në historinë e vendit tonë”, tha kryeministri.

Ndërkaq, imzoti Paglia ka lehtësuar edhe takimin e kryeministrit Kurti me Papën Françesku më 22 qershor të vitit 2023, të cilin e vlerësoi të jetë një nga takimet më mbresëlënëse të karrierës së tij politike e institucionale.

Në anën tjetër, kryeministri nënvizoi faktin që Imzoti Paglia u angazhua pa rezervë për mbrojtjen e së drejtës për shkollim të fëmijëve shqiptarë, pikërisht në kohën kur kulmoi gjenocidi në Kosovë nga ana e forcave serbe.

“Përmes traditës së tij të krishterë, miku ynë më i dashur, Vincenzo Paglia, ia përkushtoi shumë dekada miqësie popullit dhe vendit tonë. Me integritetin dhe zellin e tij, ai na ka dëshmuar të gjithë neve, që një miqësi e vërtetë është një lloj dashurie, që nuk i përgjigjet vlerës paraprake të objektit të vet. Njëkohësisht, në vend të kësaj, ajo përfshin gjithë vlerën në objektin e vet, ashtu si ajo lloj dashurie, që Zoti ka për ne njerëzit dhe për rrjedhojë, dashuria jonë për Zotin dhe dashuria jonë për njerëzimin në përgjithësi.” përfundoi kryeministri fjalën e tij.