Kurti: Ndalimi i Arbnor Spahiut nga Serbia dhe të gjitha ndalimet e tjera s’duhet të normalizohen

E publikuar: 11/06/2025 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndalimi i Arbnor Spahiut nga Serbia, si dhe të gjitha ndalimet tjera më parë, nuk duhet të normalizohen.

“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar Kurti.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se janë informuar misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it lidhur me rastin e arrestimit dhe caktimit të paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.

Spahiut më 9 qershor i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga Gjykata e Qarkut të Suboticës, ndërsa sipas deklarimeve të avokatit mbrojtës të tij Arianit Koci, ai po akuzohet për rastin e Banjskës.

Ambasadori Jetish Jashari, bashkë me avokatin Koci, do të udhëtojnë në Suboticë sot, ku pritet të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës, thuhet nga MPJD.