Kurti mori pjesë në ceremoninë e Çmimeve të kinematografisë për vitin 2021

E publikuar: 01/06/2022 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia jonë arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë.

Përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të, tha kryeministri Kurti në hapje të ceremonisë së ndarjes së çmimeve vjetore në kinematografi.

Duke përmendur dy marrëveshjet e rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik, atë me shtetin e Izraelit dhe me Francën, kryeministri tha se këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Kino Armata në Prishtinë, u ndanë dy çmimet vjetore në kinematografi për vitin 2021.

“Çmimi vjetor për Kinematografi” i takoi regjisores Blerta Basholli. Ky çmim që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë për vitin 2021, regjisorja Basholli e pranoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, iu nda post-mortem aktorit, producentit dhe skenarist të gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare, Abdurrahman Shala. Këtë çmim që u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë, në emër të familjes e pranoi Genc Shala, nga ministri Hajrulla Çeku.