Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në përvjetorin e 24-të të masakrës së Reçakut, ka thënë se autori i kësaj masakre, Serbia, vazhdon të shfaqë narrative mohuese ndaj asaj që ka ndodhur, e që sipas tij, mohuesit e gjenocidit e ëndërrojnë përsëritjen e tijNë akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në historinë e luftës, masakra në fshatin Reçak të Shtimes është një nga mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia.
Por, sipas tij, në historinë e kësaj luftës, kjo masakër e Reçkut ndonëse është një prej mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia, megjithatë “është krimi luftës që i ka nxitur më së shumti ndryshimet e qëndrimeve të shteteve në bashkësinë ndërkombëtare, me atë se çfarë po bënte Serbia”.
Meritat për ndryshim të qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë bënte Serbia në Kosovë, sipas Kurtit, i ka ish-ambasadori amerikan, William Walker.
“Për këtë, meritat i takojnë Walker pasi pa trupat e masakruar në Reçak, Walker pati kurajo ta përshkruante atë që pa me emrin e vërtetë, kur tha që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit”, ka deklaruar Kurti.
Po ashtu, Kurti ka deklaruar se ata persona që e mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.Sipas tij, krimi kundër njerëzimit i kryer në fshatin Reçak të Shtimes, më 15 janar të vitit 1999, nuk mund të fshihet, të mjegullohet e as të amnistohet.
“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme, siç është ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut deri më sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit të Serbisë në realizimin e masakrës së Reçakut. Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë që atëbotë ishte ministër i informatave, vetëm para më shumë se para 3 vjetëve, ky president i Serbisë ka deklaruar se masakra e Reçakut ishte fabrikim dhe falsifikim”, është shprehur ai.
“Ndërsa dy vjet më vonë, ai që dikur ishte zv.president i gruas së Millosheviqit e më pas edhe ministër i punëve të brendshme, ndërsa sot shef i inteligjencës së shtetit serb, saktësisht më datë 10 dhjetor 2021, në ditën e të drejtave universale ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e përsërit atë që e thotë presidenti i Serbisë”, ka thënë tutje Kurti.Ndërkaq, kryeministri Kurti ka shtuar se shteti i Kosovës nuk i amniston kriminelët e as nuk i harron krimet e luftës.