Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se komisionerët dhe individët që janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike nuk do të kenë asnjë lloj amnistie, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që hetimet të zhvillohen deri në zbardhjen e plotë të rasteve.
Në një reagim publik, Kurti ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe do të mbetet mbrojtëse e vullnetit politik të qytetarëve, të shprehur përmes votës së lirë në kutitë e votimit.
Ai ka vlerësuar se Republika e Kosovës përfaqëson një shembull të demokracisë në rajon, si dhe të proceseve të rregullta zgjedhore, duke nënvizuar se adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për çdo dyshim për manipulime zgjedhore është i domosdoshëm për ruajtjen e integritetit të procesit.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen dhe raste të tilla nuk duhet të përsëriten më në të ardhmen”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri ka inkurajuar institucionet e drejtësisë që të veprojnë pa hezitim, në mënyrë që besimi i qytetarëve në proceset demokratike të mbetet i paprekur.

















