Partitë opozitare sot në Kuvendin e Kosovës nuk i kanë dhënë përkrahje Projektligjit për Pagat e Sektorit Publik meqë Qeveria në Projektligj s’ka specifikuar se cili do të jetë koeficienti i pagave për pozitat që përfshinë Ligji për Zyrtarët Publik. Megjithatë Projektligji ka kaluar me 62 votat e marra nga deputetët e pozitës.
Lidhur me kalimin e këtij Projektligji ka reaguar edhe kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se sot është shënuar një hap përpara “ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë”.
Megjithatë as Kurti s’ka treguar se cilët do të jenë koeficientët, vetëm ka treguar se cili do të jetë dallimi i pagës së Presidentes si Komandante Supreme me atë të ushtarit të FSK-së dhe pagës së kryeministrit me atë të policit të Kosovës.
Reagimi i plotë i Kurtit:
Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, dy pjesë të të njëjtit projekt, jane një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.
I falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet që mbështetën sot me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike.
Përmes këtij ligji, ne do ta ngrisim profesionalizmin e administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët.
Me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:
– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;
– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);
– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;
– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;
– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);
– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;
– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.
Ndërsa Ligji i Pagave në Sektorin Publik themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.
Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:
– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.
– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.
– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.
– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.
Shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.
Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase.