Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në takim me kryetarët e komunave u ka kërkuar atyre që të rrisin shërbimet ndaj qytetarëve.
Madje ai u kërkoi kryetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe transparent me shpenzimin e buxhetit komunal.
Ai ka thënë se gjatë vitit 2022 Qeveria ka përmirësuar dukshëm imazhin e vendit duke bërë kështu që Kosova të fillojë të çlirohet nga korrupsioni.
Kurti, deklaroi se është i hapur dhe i gatshëm që të jetë afër gjithë kryetarëve për të mirën ekonomike, sociale dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
“Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak. Kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik”.
“Jam shumë i interesuar që në takim të tilla të kemi në agjendë çështje që prekin mirëqenien e qytetarëve, por kemi sfida. Me buxhetin duhet të lehtësojmë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve e për këtë duhet të punojmë bashkërisht. Si kryeministër i Kosovës jam i gatshëm dhe i hapur të jem afër jush me bashkëpunëtorët e mi por edhe me gjithë kabinetin qeveritarë për tu angazhuar për progresin ekonomik, social të Republikës”.
“Duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarit. Bashkë me ministrat kemi prezantuar buxhetin. Do të kemi rast të diskutojmë gjatë takimit, por edhe ju si komuna duhet ta shihni mundësinë se si mund të ndihmoni më tej në planin afatgjatë”, tha Kurti.
Pas fjalës së Kurtit takimi është mbyllur për medie për t’i lënë vend diskutimit të kryetarëve me qeveritarë.
Në takim kanë marr pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.