Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar popullin amerikan për 244 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
“Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Revolucioni amerikan është pararendës i anti-kolonializmit në botë”, shkruan Kurti, transmeton Gazeta Sinjali.
Postimi i tij i plotë:
Urime 4 Korrikun!
Para 244 vitesh u shpall pavarësia e ShBA-ve nga Anglia perandorake. U bashkuan 13 koloni për t’u çliruar duke shënuar në histori kalimin nga monarkia e sundimi në republikë dhe demokraci.
Barazia dhe të drejtat e njeriut siç i mendojmë sot e kanë burimin nga ajo kohë që nuk rreshti së frymëzuari popuj e lëvizje anembanë globit për liri e drejtësi. Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Revolucioni amerikan është pararendës i anti-kolonializmit në botë.
Mirënjohës e falenderues për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet tona, shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohen sot festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve. /GS/