Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e katër komunave veriore nga zhvillimi i duhur.
Ai ka thënë se detyrimi i serbëve të Kosovës nga, siç i ka quajtur ai, grushti kriminelësh, të udhëhequr nga paratë, narkotikët dhe trafikantët e armëve të cilët janë në listën e zezë të SHBA-së, duhet të dënohen publikisht.
Kurti ka thënë se dhjetë komuna me shumicë serbe kanë marrë mesatarisht 62% më shumë buxhet për kokë banori, si dhe 89% më shumë në shpenzime kapitale për kokë banori se 28 komunat e tjera, 27 prej të cilave janë me shumicë shqiptare.
“Këtë e bën të ditur Departamenti i Buxhetit të Ministrisë së Financave nga të dhënat e 14 viteve të fundit (’08-’22). Kur është fjala për shfrytëzimin e buxhetit, 6 komunat relativisht të integruara me shumicë serbe në jug kanë performuar vazhdimisht më mirë se ato 4 në veri”, ka thënë ai.
Sipas tij, politikanët serbë dhe udhëheqësit komunalë në 6 komunat jugore ishin të gatshëm dhe në gjendje të planifikonin, siguronin dhe zbatonin më shumë infrastrukturë arsimore, shëndetësore dhe transporti për qytetarët e tyre sesa katër komunat në veri.