Albin Kurti VV
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përgjatë tri viteve të qeverisjes së tij, ekonomia vendëse është rritur për 33 për qind, ndërsa janë punësuar 75 mijë qytetarë mw shumë.
Sipas kryeministrit, “kjo vjeshtë e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisim ishin 350 mijë të punësuar”.
Këto komente, kryeministri Kurti i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se përgjatë mandatit të qeverisës, Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit është rritur për 35 për qind.
“Pas tri viteve e gjysmë qeverisje, ndihemi krenar për sukseset e arritura. Kosova sot është mirë se sa e gjetëm në pranverën e vitit 2021 dhe njëkohësisht është në rrugë të mbarë për zhvillim e përparim të vazhdueshëm. Jemi zotuar për punësim. Këtë e bëmë dhe po e bëjmë me krejt çfarë dimë dhe çfarë mundemi. Kjo vjeshtë e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisim ishin 350 mijë të punësuar. Këta 75 mijë të punësuar për tre vjet e gjysmë nuk do të mbërrinin pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë”, u shpreh Kurti, teksa rritje sipas tij ka pasur edhe në të hyrat tatimore.
“Në njërën anë, ekonomia e Kosovës përkatësisht Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit është rritur për 35 për qind. Të hyrat tatimore sivjet janë gati 40 për qind më të larta se sa në vitin 2021. Eksportet janë dyfishuar, ndërsa investimet e huaja më shumë se dyfishuar. Në anën tjetër kemi shpërndarë 1.3 miliard euro tek qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, me ç’rast Banka Botërore ka konstatuar se Kosova kishte pakon mbështetëse më të madhe në Ballkan”, deklaroi Kurti.
Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas tij, VV gëzon përkrahje të madhe qytetare dhe synon të arrijnë edhe gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Të gjitha partitë fillojnë nga pika zero dhe duhet punuar për të arritur numrin e votave që VV kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e ndoshta edhe më shumë në zgjedhje që do të shkojmë”, ka deklaruar Kurti.