Kryeministri i vendit Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar një fabrikë këpucësh në Ferizaj. Nga aty, Kurti ka folur për vendimin për vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave, raporton Ekonomia Online.
Ai ka deklaruar se sivjet në Kosovë u bë rritja më e madhe e pagave ndonjëherë në vend
Ai tha se deri tani totali i pagave është luhatur ndërmjet 20-25 milionë euro, ndërkaq sivjet pati një rritje në 105 milionë euro.
“Nga viti në vit 20 deri në 25 milionë euro është rritur totali i pagave në sektorin publik kësaj here i kemi rritur në 105 milionë euro është rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Kur pjesëtohet me numrin e zyrtarëve publikë kemi arritur te ky numër i koeficientit”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.
Sipas Kurtit me këtë ligj janë zvogëluar pabarazitë e brendshme dhe është rritur transparenca.
Ai theksoi se vitin e ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.