Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti, ka theksuar se veprimet e fundit të Presidentit, Hashim Thaçi, janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.
Ai tutje ka shtuar se “si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar”.
“Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Njoftohet gjithashtu se kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarve si dhe gjendjen e tyre.
“Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia”, thuhet tutje në njoftim.