Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është përballur me një situatë paksa të ‘pakëndshme’ kur u shfaq para gazetarëve në Prishtinë, pas një forumi ekonomik të mbajtur të enjten.
Shefi i qeverisë iu ‘ankua’ gazetarëve që ia kanë zënë derën. U shpreh se ‘nuk po mund as të kalojë’ për shkak të tyre.
Megjithatë, ai foli për takimin e mbrëmshëm me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se kanë folur gjer e gjatë për propozimin e ndërkombëtarëve që të arrihet një marrëveshje e normalizimit mes të dyja vendeve.
E që sipas tij, kjo ujdi duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, raporton Paparaci.
“Së pari nuk është mirë që ma keni zënë derën sepse nuk mund të kaloj, së dyti ne kemi pasur një takim mbrëmë me emisarin e posaçëm të Brukselit për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak bashkë me zëvendësim tim, Besnik Bislimin. Dhe kemi diskutuar gjatë për propozimin e BE-së. Çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel është përbrenda këtij propozimi të BE-së”, tha Kurti.
Në anën tjetër, ai foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, që po kërkohet vazhdimisht implementimi i saj nga ShBa-ja dhe BE-ja.
Ai u shpreh se një marrëveshje e tillë e nënshkruar para disa vjetëve nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit, së pari kali pastaj qerrja. Nuk e duron kushtetutshmëria e Kosovës Asociacionin një-etnik”, shtoi Kurti.