0Kryeministri Albin Kurti ka përmendur punën e bërë dhe që po bëhet në investimet infrastrukturore të vendit.
Me anë të një postim në Facebook, ai ka theksuar se me Shqipërinë, Kosova është duke u lidhur më shumë përmes projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës.
“Tetova do të jetë edhe më afër falë 2rrugës së re Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit. Ndërsa banorët e Rozhajës dhe Plavës, do të mund të udhëtojnë më lehtë në drejtim të Pejës dhe Deçanit me projektet rrugore që e ndërlidhin Kosovën me Malin e Zi. Për të tri këto projekte infrastrukturore, tashmë kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe hapat e parë drejt realizimit të tyre kanë marrë kahje e duhur”, ka thënë Kurti.
Kurti, pos lidhjes me rajonin, ka përmendur edhe rajonet që kanë nevojë në Kosovës ndërlidhje nëpërmjet autostradave.
“Anamoravën po e lidhim me Prishtinën përmes autostradës Gjilan – Prishtinë, në të cilën mbi 75% të punimeve kanë përfunduar dhe tashmë kemi ndarë buxhetin për të filluar vitin tjetër me ndërtimin e autostradës nga Gjilani deri tek Dheu i Bardhë. Ndërtuam e asfaltuam rrugë në zona e fshatra në Veri të Republikës, ku për herë të parë po ndërtojmë e rinovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. Nënshkruam kontrata për mirëmbajtje përmes të cilave kemi mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, me mirëmbajtje rutinë dhe mirëmbajtje investive”, ka pohuar kryeministri.
I pari i ekzekutivit theksoi se krahas rrugëve, po investojnë mbi 200 milionë euro për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Për krahasim, treni më i shpejtë aktualisht në operim në të njëjtën linjë është rreth 60km/orë.