Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë

E publikuar: 03/12/2024 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti_

Albin Kurti_

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.

“Kryekrimineli i bandës që kreu sulmin në Banjskë – mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti.