Kurti godet prokurorinë: Iu deshën 10 orë për ta marrë në pyetje Albulena Haxhiun, qe 10 muaj s’ka aktakuzë ndaj Radojiçiqit

E publikuar: 24/07/2024 11:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Prokurorinë, që ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti është shprehur se Prokurorisë s’i kanë mjaftuar dhjetë muaj për të ngritur aktakuzë, por s’iu deshën as dhjetë orë për ta intervistuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut… në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj për të ngritur aktakuzë, por nuk iu deshën as 10 orë për ta marrë në pyetje ministren e Drejtësisë për një status në Facebook”, ka shtuar Kurti.

Prokuroria Speciale ka intervistuar për dy ditë me radhë ministren Haxhiu, pasi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka pretenduar se arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës, janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.