Në Mynih nuk pati takim mes krerëve kosovarë dhe kryediplomatit amerikan Antony Blinken. Vuçiq e ka takuar atë të premten dhe tha se është folur për “përmirësim të raporteve” mes Serbisë dhe SHBA-së. Nuk dihet pse Kurti e Osmani s’u takuan me Blinkenin, por opozita i akuzon ata për lëndim të raporteve me amerikanët. Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu reagoi duke thënë diçka rreth politikës së tanishme të jashtme.
Zyrtarët e lartë serbë së fundi duan flasin për një “përmirësim të marrëdhënieve” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Aleksandër Vuciq, të premten shkroi se në një takim me Sekretarin amerikan, Antony Blinken, në margjina të Samitit të Sigurisë në Mynih, pasi folën për raportet Kosovë – Serbi, është konfirmuar “përmirësimi i raporteve” të Serbisë me SHBA-në.
“Në shtesën e diskutimit për raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, ne e konfirmuar zhvillimin e raporteve biletarale mes Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuciq në Instagram, ku i ka publikuar fotografitë e takimit me Blinkenin, ku presidenti serb po shoqërohej nga kryediplomati Ivica Daciq.
Kjo ndodhi të premten, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, pas festimit të së cilës, edhe dy liderët, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti u nisën për në Mynih.
Zyrat e tyre kanë njoftuar për takime të shumta në Samitin e Sigurisë, gjatë dy ditëve të fundjavës, por nuk pati një të atillë mes tyre dhe Sekretarit Blinken, që ishte zyrtari më i lartë amerikan, pjesë e Samitit.
Sekretari Blinken ka njoftuar se la Mynihun të dielën paradite, por të shkuar më vonë në Turqi.
Të hënën, opozita e ka parë si “shqetësuese” mungesën e një takimi mes Kurtit ose Osmanit me Blinkenin në Mynih.
Edhe njëherë, është akuzuar Qeveria aktuale se nuk ka mirëmbajtur raportet e posaçme mes Kosovës dhe SHBA-së.
Nuk ka pasur një shpjegim pse nuk ka pasur një takim, por Prindon Sadriu, burri i Presidentes Osmani, është marrë me këtë çështje.
Ai ka shpërndarë njoftimi nga takimi i një viti më parë mes Kurtit, Osmanit dhe Blinkenit në Ëashington, D.C..
“Pritja protokollare ne DASH vitin e kaluar. Nje pritje të tillë nuk e ka patur as Vuqici e as shumica e lidereve politik ne rajon. SHBA-te e kane theksuar vet se raportet ndershteterore me Kosoven asnjehere nuk kane qene me te forta se tani”, ka shkruar Sadriu në profilin e tij në Facebook. Më vonë ka bërë një përmbledhje të takimeve të Presidentes, duke thënë se “Kosova asnjëherë nuk ka patur politikë të jashtme më përmbajtësore e më proaktive se tani”.
Abelard Tahiri i Partisë Demokratike thotë se është shqetësuese dhe po ndodh për herë të parë që drejtuesit e Kosovës të injorohen nga Departamenti amerikan i Shtetit.
“Është shqetësuese që drejtues të shtetit janë duke u injoruar nga Departamenti i Shtetit dhe nga sekretari Blinken. Është hera e parë që drejtues të shtetit nuk arrijnë me u taku me drejtues të niveleve të larta të Departamentit të Shtetit. Ne nuk e dimë se si ka rrjedhë procesi për dy vite. Po flasim për një marrëveshje tranzitore që do ta caktojë një status-quo të re dhe krejt kjo ka ardhur në kuadër të kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë ai.
Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, e konsideron dështim të Qeverisë për “t’i ruajtur marrëdhëniet” me SHBA-në mungesën e një takimi mes liderëve kosovarë dhe Sekretarit Blinken.
“Dështimi i qeverisë për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të krijuara qe tri dekada është tejet shqetësues. Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë historikisht të rëndësishme për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe ndikimin në politikat e jashtme të Kosovës. Megjithatë, kohëve të fundit, qeveria Kurti e ka lënë pas dore këtë marrëdhënie dhe ka lejuar që ajo të përkeqësohet”, ka thënë Azemi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nuk ka dashur që të flitet për mungesën e një takimi mes liderëve shtetërorë dhe Sekretarit Blinken.
Ai e ka shpërndarë në Facebook një raportim në Serbi dhe reagimin e PDK-së për mungesë të qasjes, duke e akuzuar opozitën për sinkronizim me Serbinë.
Gjatë fundjavës në Mynih, anash Konferencës, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka takuar disa kongresistë dhe senatorë amerikan.
“Kongresistët shprehën interesim për procesin e dialogut në Bruksel dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri ndau me ta qëndrimet e Qeverisë, duke theksuar që ai e konsideron të pranueshëm propozimin evropian si bazë të mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel”, thuhet në një nga njoftimet e ZKM-së.
Ndërkaq në kumtesën për takimin me dy senatorë amerikanë, Zyra e Kurtit shkroi: “Raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ritheksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen”.
Kryeministri Kurti të shtunën është takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ndërsa në këtë takim, Francën e ka përfaqësuar ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Catherine Colonna.
“U fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kurtit për këtë takim. /Express/