Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se për dy vjet e gjysmë qeverisje ka pasur investim për ushtrinë.
Përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se në vitin 2021, Ministrisë së Mbrojtjes iu dhanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë, derisa për vitin 2023 është 141 milionë euro.
“Ministrisë së Mbrojtës iu ndanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë në vitin 2021. Prej atëherë, minimumi është aq, kurse tavani sa vjen e ngritet. Për vitin 2023, buxheti për ushtrinë është 141 milionë euro, më shumë se dyfishim krahasuar me kohën kur morëm në drejtim qeverinë.”
Kurti theksoi se se investimet në armatim janë rritur për 191 për qind, duke përmendur edhe dronët Bayraktar. Derisa përmendi se janë rekrutuar 1852 ushtarë të rinj dhe 3325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit.
“Kemi rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se 2/3. Ushtria jonë sot është më profesionale dhe më e përgatitur sepse gjatë kësaj periudhe, 3325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit. Ata janë të pajisur më mirë se asnjëherë më parë, sepse investimet në armatim janë rritur për 191%. Arsenalit tonë ushtarak, ia shtuam dronët e mirënjohur luftarak Bayraktar.”
Kurti shtoi se është hequr kufizimi në numër të FSK-së dhe që u hap për çdo të ri e të re nën moshën 25 vjeçare.
“Hoqëm kufizimin në numër të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe e hapëm atë për çdo të re të ri deri në moshën 25 vjeç, ndërkaq lëndën “Edukim në Siguri’’ e bëmë pjesë të kurrikulave shkollore për nxënësit e ciklit të mesëm të lartë.”
Ai tha se në Defender Europe 21 dhe 23 u “rreshtuam krah për krah me aleatët tanë në ndërmarrjen më të madhe të ushtrimeve ushtarake në kontinentin e Evropës që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.