Albin Kurti-FB
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur si planin franko-gjerman, për normalizim të raporteve me Serbinë.
Kurti ka pasur sot takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të cilit i ka thënë se e sheh propozimin si “një bazë të mirë” për të ecur para me diskutime.
Ai ka zgjedhur të flasë për takimin që ka pasur në Prishtinë gjatë vizitës së fabrikës “Liri” në Prizren, ku ndër të tjera shtoi se Kosova do ta pranojë propozimin e BE-së.
Kreu i Qeverisë deklaroi se për çështje të tjera është mbetur që të diskutohet se shpejti në takimet që do të mbahen në Bruksel.
“Sa i përket drekës që kishim në Prishtinë, gjatë kësaj dreke punë shkëmbyem mendime, ide, qëndrime e propozime. Ishte një shkëmbim shumë i mirë dhe ajo që duhet theksuar është se gjithçka u zhvillua rreth propozimit të BE-së për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne e pranojmë këtë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme si një platformë solide për të ecur përpara”, tha Kurti.
“Çështje e pyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare. Këto kanë mbetur të diskutohen në takimet në Bruksel. Ndërmjetësit e përcaktojnë se kur, e vendi është në Bruksel”, deklaroi shefi i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Pas “drekës së punës” që pati me Lajçakun në një restorant në Prishtinë, Kurti nuk deshi të prononcohej për mediet e shumta që e prisnin. Ngjashëm veproi edhe pas takimit që zhvilloi me ambasadorët e akredituar në Kosovës.Se e pranon propozimin evropian, Kurti ka shkruar edhe në Twitter. “Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak, në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti.