Kurti flet për dinarin: Jo propozimeve që bien ndesh me rregulloren e BQK-së

E publikuar: 19/03/2024 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të gjitha problemet të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kurti thotë se nga takimi i sotëm në Bruksel pret gjëra konkrete, derisa thekson se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Kurti nuk deshi të flasë për propozimet e mundshme të zgjidhjes së çështjes, pasi, sipas tij, dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës, nëse ato shpalosen para kohe.

“Nuk është në pyetje a do të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro”, tha Kurti.

Sipas tij, ky është një proces që po vazhdon, “por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë e që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.

Kreu i Qeverisë tha se vazhdimisht ka pasur opsione të ndryshme për çështjen e dinarit.

“Unë nuk besoj që duhet të diskutohen tash, sepse dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës, nëse ato shpalosen para kohe. Ajo çfarë mund të them është që Qeveria po e bën më të mirën e mundshme, me përkushtim maksimal dhe natyrisht që këtë ne e kemi si mbështetje për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës, shumë serioze, për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare”, tha, pos tjerash, Kurti.