Kurti flet për anëtarësimin në BE me shefin e ri të saj në Kosovë

E publikuar: 05/09/2024 12:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, në takimin me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.

Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim. Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave.

Kurti foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët.

Tutje, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.