Kurti flet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me pesë ambasadorë

E publikuar: 21/03/2024 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët e Holandës, Suedisë, Belgjikës, Finlandës dhe Luksemburgut, me të cilët ka folur rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në njoftimin për media, thuhet se Kurti në takimin me ambasadorët ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në avancimin e aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në njoftim, thuhet se Kryeministri foli për veprimet që ka ndërmarrë qeveria në tri vitet e fundit, e të cilat sipas tij, kanë sjellë fryte pozitive e rezultate në përmirësim të sundimit të ligjit, avancim të demokracisë dhe progres socio-ekonomik, progres ky që njihet e faktohet edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare.

“Takimi ofroi mundësi që Kryeministri t’i falënderojë ambasadorët për rolin dhe kontributin e shteteve të tyre në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe zhvillimit të Kosovës si dhe procesin e integrimeve në organizata ndërkombëtare. Në takim, u bisedua edhe rreth procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogut në Bruksel”, thuhet në njoftim.