Kurti flet me deputetët britanikë për agresionin e bandave kriminale në veri

E publikuar: 26/06/2023 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori Ilir Kapiti, në Parlamentin britanik takoi deputetë të grupeve parlamentare, APPG (All Party Parliamentary Group).

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat e thellimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për situatën në veri të vendit, thuhet në komunikatën për media.

Bëhet e ditur se “kryeministri Kurti foli me ta për progresin që Kosova ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, 15 vjet më parë, veçanërisht për arritjet në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit në dy vitet e fundit të qeverisjes, të vërtetuara nga shumë raporte kredibile ndërkombëtare”.

Në komunikatë thuhet se kreu i ekzekutivit i njoftoi deputetët britanikë edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, me agresionin e bandave kriminale dhe të shtetit të Serbisë, dhe me qasjen parimore të Republikës së Kosovës për shtensionim të situatës dhe me angazhimin konstruktiv të saj në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian drejt normalizimit të plotë.

“Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mikpritjen nga deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në fund.