Kurti e Vitia përurojnë hapësirat e renovuara në Institutin e Anatomisë Patologjike, investim 650 mijë euro

E publikuar: 13/03/2026 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë marrë pjesë në përurimin e hapësirave të renovuara në Institutin e Anatomisë Patologjike, investim në vlerë prej 650 mijë eurosh që ka përfshirë rinovimin e plotë të katit të parë të instituteve paraklinike në një sipërfaqe prej 976 metrash katrorë.

Kurti tha se transformimi ka qenë rrënjësor, duke theksuar se janë ruajtur vetëm muret mbajtëse dhe pllakat e meskatit, ndërsa pjesa tjetër është rindërtuar dhe pajisur nga e para.

“650 mijë euro është shuma e gjithmbarshme e këtij investimi për rinovimin e plotë të katit të parë të instituteve paraklinike në një sipërfaqe të gjithmbarshme prej afër 1000 metra katror, apo saktësisht 976 metra katror. Transformimi është rrënjësor me ç’rast janë ruajtur vetëm muret mbajtëse dhe pllakat e meskatit, ndërsa të gjitha hapësirat e tjera janë rindërtuar dhe janë pajisur nga e para”, tha ai.

Ai shtoi se në kuadër të projektit janë zgjeruar dhe pajisur me inventar bashkëkohor laboratori i imunohistokimisë dhe laboratori i patologjisë molekulare, janë riorganizuar dhomat e patologëve dhe janë funksionalizuar hapësirat përcjellëse për punën e përditshme.

“Në kuadër të këtij projekti janë zgjeruar dhe pajisur me inventar bashkëkohor dy laboratore.

Laboratori i imunohistokimisë dhe laboratori i patologjisë molekulare. Pastaj janë riorganizuar dhomat e patologëve për më shumë specialistë, si dhe janë funksionalizuar hapësirat përcjellëse për punën e përditshme. Njëkohësisht janë rregulluar edhe hapësirat për marrjen e mostrave, sporteli në korridor, dhoma e rojës si dhe janë rinovuar sallat e studentëve dhe zyrat e profesorëve të patologjisë. Transformimi klinikë pas klinike, institut pas instituti do të vazhdojë deri në ndryshimin rrënjësor e cilësor të shëndetit e të shëndetësisë sonë publike”, tha ai.

Drejtoresha e Institutit, Merita Hashani, deklaroi se investimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve.

“Ky transformim ka krijuar kushte të reja të punës, do të rrisë kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Institutin e Patologjisë, dhe në këtë mënyrë  ky investim do të ndihmojë dhe do të ndikojë direkt në mirëqenien e qytetarëve. Instituti i Anatomisë Patologjike është institut referent në nivel të Kosovës. Këtu pranohen mostrat nga QKUK-ja dhe nga pothuajse të gjitha spitalet rajonale. Në këtë institut kryhen biopsitë, citologjitë dhe autopsitë për të gjitha këto nivele, ndërsa numri i teknikave të cilat i përdorim janë teknika të avancuara, dhe do të shkojmë tutje edhe në avancimin e teknikave më moderne duke iu falënderuar shkencës dhe teknologjisë. Pra do të shkojmë tutje që të rrisim gamën e shërbimeve duke filluar fillimisht me shërbimin e nefropatologjisë, të cilin insistojmë dhe synojmë ta hapim së shpejti si shërbim, e pastaj edhe shërbimin e patologjisë molekulare dhe shërbime të tjera të cilat janë të nevojshme për pacientin tonë, duke ndikuar kështu në rritjen e shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore”, tha ajo.

Ministri Vitia theksoi rëndësinë e institutit për trajtimin e pacientëve, veçanërisht atyre onkologjikë.

“Një institut me rëndësi të jashtëzakonshme sepse puna në këtë institut tregon edhe për klinicistët e sidomos për klinikën e onkologjisë shumë, në mënyrë që pacientët të trajtohen në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme. Ashtu siç tha edhe drejtoresha, jemi duke punuar që sa më shpejt të aktivizohet edhe patologjia molekulare në mënyrë që të na ndihmojë për pacientët onkologjikë edhe me terapi target, në mënyrë që pacientët edhe të marrin terapinë më të mirë, po edhe mos të shpenzohet për pacientët te të cilët terapia mund edhe mos të ketë efekt. Në anën tjetër ky vit do të jetë vit i diagnostikës, do të investohet në të gjitha laboratoret pa dallim duke filluar me teknologjitë e reja, me digjitalizim të laboratorëve dhe natyrisht kjo është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për të gjithë klinicistët, e sidomos për pacientët të cilët do të kenë mundësi që të diagnostikohen në mënyrë të saktë”, tha ai.