Kurti: E rritëm numrin e të punësuarve, e luftuam krimin e korrupsionin

E publikuar: 02/12/2024 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kryeministri i vendit, Albin Kurti / Foto: ZKM

Kryeministri i vendit, Albin Kurti / Foto: ZKM

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para deputetëve, tha se qëndron para tyre me krenari dhe vetëbesim për qeverisjen e tij. Ai tha se kjo periudhë qeverisjeje ishte me përplot të arritura dhe me më shumë sfida se zakonisht.

Sipas tij, qeverisja e LVV-së është një histori ndryshimesh që prekin jetën e qytetarëve.

“Këto histori suksesi flasin edhe për një të ardhme më të mirë që nuk e përjashton askënd dhe shifrat që do t’i prezantoj padyshim që kanë shpirt, meqë ato kanë vënë në lëvizje mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre, mundësinë për të ardhmen pa diskriminim”.

Ai tha se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe në këto 3 vitet e fundit, që është 6.36 për qind e bruto produktit vendor.

“Kemi ulur borxhin publik, borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 për qind apo për çerekun më të vogël, sesa që e kemi gjetur. Papunësia, që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25. 8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë që na mbetet në këtë aspekt është aktivizimi më i madh i grave”, tha kreu qeveritar para deputetëve.

Sipas tij në ditën kur mori postin e kryeministrit në marsin e 2021-tës, kishte 350 mijë të punësuar e sot janë 430 mijë.

“Pra 80 mijë më shumë, sesa në pranverën e vitit 2021. Dhe kjo është rritje prej 22 për qind e punësimit. Në anën tjetër, ne e dimë që nuk mjafton të krijosh vende pune, por është e domosdoshme që sektori privat të ketë rritje aktiviteti e shpresë për rritje të biznesit e ta riinvestojnë fitimin se ai shprehje e qartë e optimizmit në ekonomi që është faktor i rëndësishëm për zhvillim e në këtë aspekt kemi kaluar nga 12 miliard euro qarkullim në 22 miliard. Kemi bërë mbështetje direkte në punësimin e 12 mijë grave. Pagën minimale e kemi të re, 350 euro nga ajo që e kemi gjetur 130 e 170 euro”, vijoi fjalën e tij kryeministri.

Kurti tha se rritja ekonomike është duke iu falënderuar luftimit të krimit të organizuar korrupsionit.

“Është rritur për rreth 50 për qind buxheti për policinë, 124 grupe kriminale janë shkatërruar, prej tyre 43 grupe për krime ekonomike e korrupsion, dhe 40 grupe në luftim kundër drogës. Rreth 300 zyrtarë publikë janë arrestuar mbi 4. 5 ton substanca narkotike janë konfiskuar; 37 rrugë ilegale janë mbyllur prej tyre 29 në veri të vendit; 6 laborator për prodhimin e kriptovalutave janë shkatërruar në veri; 9 stacione policore për mbikëqyre të kufirit i kemi në veri, nuk ka qenë asnjë më herët”, tha kryeministri./EO