Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka thënë se e ka pranuar propozimin franko-gjerman pasi sipas tij, përmes tij arrihet një marrëveshje bazë me Serbinë e cila është e dobishme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të mbahet seancë me dyer të mbyllura kur flitet për këtë plan.
Ai u shpreh se asnjëherë nuk e ka refuzuar këtë propozim, i njohur si plani evropian, pasi siç tha, për herë të parë Kosovës i erdhi një propozim me koncepte evropiane dhe demokratike me vlerë universale.
“Duhet ta kuptojmë një gjë, nuk është e mundshme që emisarët evropianë të vijnë nga Brukseli, Parisi e Berlini e të na sjellin marrëveshjen finale. Sepse kjo do shumë proces negociator të thellë e të gjatë. Emisarët evropianë nuk na ka sjell një dokument në stilin merre ose leje, ndaj nuk kanë mundur të na sjellin propozimin për marrëveshje finale. E kanë sjell propozimin për një marrëveshje bazë”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit kosovar tutje u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa njohje reciproke.
“E dyta, ne sot kemi mosnjohje reciproke me Serbinë. Ajo që na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke s’mund të ketë. Nëse mund të thoshim diçka për atë propozimin që na është ofruar, aty paragrafët që merren janë paragrafë që i referohen njohjes. Nuk janë as vetëm dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtë”, tha Kurti.
“Emisarët nuk na kanë sjellë propozimin merre ose lere. Nuk kanë mundur ta sjellin propozimin për marrëveshjen finale. Ne sot kemi mosnjohje reciproke, ajo çka na duhet është njohja reciproke, marrëveshje finale pa njohje reciproke ne qendër nuk mund te këtë. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive e bënë ndarjen e njohjes reciproke në ndarje de facto dhe në ndarje dejure. Duhet ta kuptoni se nuk janë as dy faqe tamon, është një tekst i përgjithshëm dhe i shkurtër”, u shpreh ai.