Kurti e ndreq atmosferën për bisedime në Bruksel, e shtyn edhe një ditë afatin për targat

E publikuar: 20/11/2022 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti duket se është nisur drejt Brukselit me më shumë optimizëm sesa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e targave ilegale, të cilat Serbia i lëshon për automjetet e banorëve serbë të Kosovës.

Rrugës për në kryeqendrën europiane, Kurti e ndreqi atmosferën para takimit që pritet ta zhvillojë me Vuçiqin atje. Policia e Kosovës njoftoi se është shtyrë për një ditë gjobitja e shoferëve serbë që refuzuan t’i zëvendësonin targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Pra, edhe të hënën s’do të ketë gjoba. Të hënën pritet të zhvillohet ky takim mes Kurtit dhe Vuçiqit. Ndërmjetësuesit europianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak do të përpiqen t’i bindin ata të dy që ta arrijnë një marrëveshje për këtë çështje.

Kurti nuk foli për takimin. Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, e publikoi një fotografi ku kryeministri i Kosovës u pa duke qëndruar në ulësen e avionit në Vienë të Austrisë, me një çantë përskaj tij.

Vuçiqi, ndërkaq, qysh në mëngjes tha se nuk beson se mund të arrihet ndonjë marrëveshje.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq në një intervistë për televizionin Prva.

Ai tha se takimi do të fillojë në orën 8 të mëngjesit të së hënës, duke ripërsëritur kërkesat e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimit për targa.