
Albin Kurti EU1
Kryeministri i Kosovës e ka mirëpritur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kurti tha se me anë të kësaj rezolute bëhet thirrje për rritje të sigurisë në Kosovë, teksa Serbisë i kërkohet shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm.
“Ne mirëpresim rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian. Ndër masat e tjera, ai bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative përpara ushtarake përgjatë kufirit”, tha ai.
Tutje Kurti tha se rezoluta po ashtu u bën thirrje pesë vendeve që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.
“Gjithashtu u bën thirrje 5 jo vendeve jonjohësve që të njohin Kosovën, inkurajon Komisionin që të pezullojë fondet për Serbinë nëse nuk bashkëpunon dhe nxit “autoritetet serbe… të përmbahen nga gjuha e urrejtjes kundër kosovarëve dhe…informacionet e rreme në lidhje me ‘ spastrim etnik…’”, tha Kurti.
Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjskë.
Në tekstin e draft-rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.
Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.
“…. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës.
Teksti i rezolutës, po ashtu, i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.
We welcome today's @Europarl_EN resolution. Among other measures, it calls for the enhancement of security for 🇽🇰 and urges Serbia to avoid any further escalation, halt any support to terrorist formations, and withdraw all its military forward operating bases along the border.
— Albin Kurti (@albinkurti) October 19, 2023

















