Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Arlind Manxhukën Zëdhënës të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Nga zëri i partisë në zërin e shtetit. Kështu mund të përshkruhet lëvizja e fundit në Zyrën e Kryeministrit.
Në vendimin zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, të nënshkruar nga Kurti thuhet se Manxhuka, i cili njëkohësisht është edhe Këshilltar Politik në Zyrën e Kryeministrit, do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë që parashihen me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe detyra shtesë të caktuara nga Kryeministri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë, i cili njëkohësisht është Këshilltar Politik i Kryeministrit”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Zëdhënësi i Qeverisë është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me Ligjin Nr. 08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Zëdhënësit të Qeverisë janë të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe kryen detyra të tjera shtesë të caktuara nga Kryeministri.
Marrëdhënia e punësimit e Zëdhënësit të Qeverisë përfundon me mbarimin e mandatit të Kryeministrit, nëse ky emërim nuk ndërpritet më herët.
“Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryeministri. Vendimi i dërgohet: Z. Arlind Manxhuka, Zëdhënës i Qeverisë / Këshilltar Politik i Kryeministrit Shefit të Stafit të Kryeministrit. Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së”.
Arlind Manxhuka, deri tani ka qenë zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili njihet për mbrojtjen e fuqishme publike të qëndrimeve të partisë dhe të Kryeministrit Kurti.


















