Kosova ka aplikuar të enjten për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Albin Kurti e ka dorëzuar aplikimin në Republikën Çeke – vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.
Ceremonia e dorëzimit vazhdon të mbahet në ndërtesën e Qeverisë çeke në Pragë.
Një ditë më herët, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si “hap historik” për Kosovën.
“Ne jemi sot [14 dhjetor] së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuar po kështu që edhe Bashkimi Evropian të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe”, tha Osmani.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha përmes një deklarate me shkrim se Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se BE-ja e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.
“Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për paraqitjen e aplikacioneve janë të përcaktuara me Traktatin e BE-së”, tha Pisonero.
Neni 49 i Traktatit të BE-së thotë se “çdo vend evropian”, i cili respekton vlerat evropiane dhe angazhohet për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim në BE.
Javën e ardhshme, presidenca çeke e BE-së pritet t’i njoftojë vendet tjera anëtare për aplikimin e Kosovës.
Trajtimin e kësaj çështjeje do ta vazhdojë pastaj Suedia, e cila merr kryesimin e BE-së nga 1 janari, shkruan REL.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e fundit në procesin e integrimeve evropiane.
Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më shumë përparim në negociatat e anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur sivjet këto negociata, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.
Pengesë për Kosovën, tash për tash, është edhe fakti se pesë vende të BE-së nuk e njohin ende pavarësinë e saj.