Kryeministri i vendit, Albin Kurti / Foto: ZKM
Derisa sanksionet e BE-së ndaj Kosovës mbeten në fuqi, kryeministri Albin Kurti thotë se nuk e di kur mund të hiqen ato tek i sheh si problematike dinamikat e brendshme të BE-së.
Pas marrjes së kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së nga Polonia, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka ardhur koha që masat të hiqen dhe Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.
E në Bashkimin Evropian nuk treguan nëse do të shqyrtohen aspektet që lidhen me Kosovën, të cilat nuk figurojnë në mesin e prioriteteve të presidencës polake.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ua ka lënë “fajin” dinamikave të brendshme të Bashkimit Evropian për mungesën e vendimmarrjes sa i përket heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Polonia do ta kryesojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Por shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk mund të japë një datë se kur ato mund të hiqen masat.
“Madje edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë së jashtme dhe siguri, zëvendës/presidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, në mandatin e tij kur ishte dërgoi një raport 27-es së Bashkimit Evropian, iu tha atyre hiqni masat për Kosovën. Mirëpo janë disa dinamika të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj që të hiqen sa më parë por nuk mund të japë një datë të caktuar për këtë gjë, për shkak se nuk është se ia kemi vënë ne masat vetes por ato na janë vënë padrejtësisht neve”, ka thënë Kurti në një intervistë për media.
Ai ka shtuar se, arsyet pse ishin vendosur masat më nuk qëndrojnë tek ka theksuar se rreziku për rieskalim të situatës në veri vjen vetëm nga Serbia.
“Tash deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë që të mos ndodh rieskalimi. Ka pasur përpjekje për rieskalim. Këto granatat e dorës që hidhen herë në stacion të policisë e herë në ndërtesa të komunës, ose përpjekja për ta hedhur komplet në erë kanalin Ibër Lepenc, janë përpjekje për rieskalim. Por të gjithë e dinë se qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, Kosova nuk ka humbur milionat si pasojë e masave, porse ato vetëm janë bllokuar.