
Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi për në Kaçanik, për të nderuar dëshmorët dhe martirët në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Më 9 prill 1999, Kaçaniku u rrethua nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 28 martirë.
Ai fillimisht bëri homazhe dhe mori pjesë në manifestimin përkujtimor në Lagjen e Re, ku tha se kemi ardhur për të nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët në betejat e Kaçanikut.
“Nderojmë në veçanti katër gratë dëshmore të cilat ranë duke mbrojtur popullsinë civile. Kujtojmë katër ushtaret e UÇK-së që ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika Muhaxheri. I përkujtojmë sot, në 26-vjetorin e rënies. I kujtojmë gjithmonë çdonjërën prej tyre të gjithë ne”, deklaroi kryeministri në fjalën e tij.
Ai kujtoi se muaji prill është muaj i përkujtimeve të viktimave të masakrave, të krimeve dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. “Kujtojmë me nderim dhe dhimbje civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë gjatë javës së parë të prillit 1999 në Rezallë të Drenicës, në Lybeniq të Pejës, në Çabrat të Gjakovës, në Fushë Kosovë, në Sopi të Suharekës, në masakrën e tmerrshme mbi familjen Vejsa në Gjakovë, në masakrën në Llovcë të Gjilanit, Kralan të Gjakovës, në Reznik të Vushtrrisë, në Mojstir e Cërcë të Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit, në Polac, e në fshatin Rashiq të Pejës”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, përkundër kushteve të përmirësuara, pagave të larta dhe dyfishimit të hetuesve, nuk janë aktivë as sa munden se lëre më sa nevojiten.
Me përkushtimin tim për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit tonë për liri, vijoi kryeministri, po angazhohemi të gjithë bashkë me vendosmëri për një Kosovë të drejtësisë, paqes dhe përparimit:
“Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, kemi miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi konsoliduar bazën ligjore dhe kemi forcuar kapacitetet institucionale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Dokumentimi i të gjitha krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale në Kosovë, po bëhet nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Për herë të parë, regjistrimi i popullsisë i zhvilluar në fund të vitit të kaluar në Republikën e Kosovës ka përfshirë edhe evidentimin e humbjeve dhe vuajtjeve të përjetuara gjatë luftës”.
Nga Lagjja e re, kryeministri Kurti vazhdon për në Rakoc të Kaçanikut, ku do të marrë pjesë në manifestimin përkujtimor të organizuar atje.