Një burim diplomatik perëndimor nga Beogradi bën të ditur se qeveria serbe ka hartuar një plan të fshehtë për të kapërcyer kushtin e kushteve, që BE i ka vënë Serbisë për anëtarësim dhe që është njohja e Kosovës. Plani konsiston në atë që Serbia t’i ofrojë Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur Kosovën si shtet. Në shkëmbim, Kosova duhet të ndihmojë Serbinë të anëtarësohet në BE, duke hequr dorë nga kërkesa e njohjes së Kosovës. Ky do të ishte sipas Beogradit thelbi i asaj, që po cilësohet si marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës. “Kosova mund të marrë vendin në OKB vetëm nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë dhe Serbia duhet të marrë diçka”,-deklaroi në datën 5 dhjetor presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kur Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, e pyeti se çfarë është kjo “diçka”, Vuçiç tha se nuk dëshiron të flasë tani, por do ta bëjë nga marsi ose prilli. Sipas burimit diplomatik, që përmendëm në fillim të analizës, kjo “diçka” është heqja dorë e Kosovës nga njohja prej Serbisë në shkëmbim të lejes serbe për të marrë një karrige në OKB.
Plani diplomatik serb ka nisur të diskutohet në disa qarqe të mbyllura diplomatike europiane dhe diplomacia serbe është në fazën e sigurimit të mbështetjes nga shtete të BE për këtë plan të saj. Burimi diplomatik perëndimor nga Beogradi bën, gjithashtu, të ditur se plani serb është konsultuar paraprakisht me Moskën dhe ka siguruar miratimin rus, sepse pa votën e Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB nuk mund të hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në OKB, ashtu siç është veto ruse pengesa kryesore e anëtarësimit të Kosovës në OKB.
Në disa qarqe diplomatike kanë shfaqur interesim për këtë plan të diplomacisë serbe “për të ofruar anëtarësimin në OKB pa pranuar njohjen e Kosovës si shtet”, sepse është shtuar lodhja e Brukselit përballë një problemi të madh dhe të vështirë, siç janë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, dhe do të shpëtojë një orë e më parë nga ky telash.
Çështja kryesore është se si do të jetë qëndrimi diplomatik dhe strategjik, që do të përcaktojë Kosova ndaj këtij plani serb. Diplomacia dhe institucionet e nëndheshme serbe, që kanë lidhje okulte me struktura të ndryshme në Kosovë, po përpiqen që në forma dhe rrugë të shumëllojta t’i krijojnë hapësirë pranimit të këtij plani serb në Prishtinë. Ka indikacione se në drejtim të këtij objektivi ata kanë arritur njëfarë suksesi, sepse në disa qarqe qeveritare në Prishtinë ka nisur të qarkullojë teza e habitshme se “Serbia nuk ka përse ta deklarojë se e njeh Kosovën”, çka në një farë kuptimi mund të merret si një sinjal i pranimit indirekt të planit serb.
Në hartimin e planit të tyre qeveria dhe diplomacia e Serbisë duhet të jenë inkurajuar edhe nga qëndrimi tolerant, me tepër se sa duhet, i qeverisë së Kosovës, e cila në bisedimet e Brukselit me Serbinë sorollatet prej gjashtë vitesh në unazën e vogël të bisedimeve teknike dhe administrative. Nuk është bërë asnjëherë e qartë se sa vite duhet të kalojnë për të dalë në trasenë e vërtetë të bisedimeve politike për legalizimin e statusit të bisedimeve si bisedime midis dy shteteve dhe në finalizimin e qëllimit të natyrshëm për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Qeveria dhe diplomacia e Serbisë janë inkurajuar edhe nga qëndrimi tolerant i qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka reaguar asnjëherë në tryezën e bisedimeve për situatën absurde, kur çdo ditë qeveria dhe diplomacia e Serbisë vrapojnë nëpër botë për të penguar njohjen e Kosovës. Beogradi shkel çdo ditë marrëveshjen e famshme të “normalizimit të marrëdhënieve” me Kosovën të 19 prillit 2013, ku është angazhuar të pranojë anëtarësimin e Kosovës në BE si shtet dhe Prishtina shkon nga një raund bisedimesh në tjetrin sikur nuk ka ndodhur gjë.
Përshtypja e krijuar nga diplomatët, që i ndjekin prej vitesh raportet midis Serbisë dhe Kosovës, është se nga bisedimet midis dy shteteve me ndërmjetësimin e BE, pala që ka fituar më shumë është Serbia. Serbia siguroi nëpërmjet këtyre bisedimeve dhe kërkesave teknike të Kosovës, alibinë e madhe për “qetësimin e marrëdhënieve”, gjë që i hapi rrugën asaj për marrjen e statusit të shtetit kandidat në BE dhe për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në.
Tani jemi në një fazë të re, kur Serbia po avancon në hapjen njeri pas tjetrit të kapitujve të Traktatit të pranimit në BE dhe kur, siç deklaroi presidenti Vuçiç në 5 dhjetor, ajo parashikon që në vitin 2022 të bëhet anëtare e plotë e BE. Por për këtë ka një kusht të madh, që quhet kushti i kushteve, që Serbia dhe Kosova të njohin njëra-tjetrën. Pikërisht në këtë klimë, pra me afrimin e datës kur kushti i kushteve do të ngrihet në fund të tratativave të pranimit midis BE dhe Serbisë, qeveria serbe harton planin e saj të fshehtë të ofertës për Kosovën që të anëtarësohet në OKB, por të heqë kërkesën e njohjes si shtet nga Serbia. Një marrëveshje mbi këtë pazar, nëse pranohet nga Prishtina, i lejon Serbisë ta heqë kushtin e kushteve të BE me dorën e vetë Kosovës. Dhe pas kësaj, duke qenë anëtare e BE, Serbia jo vetëm do të bëhet shteti i gjashtë i BE, që nuk njeh Kosovën, por do ta bllokojë integrimin e Kosovës në BE.
Përballë këtij plani të rafinuar diplomatik serb, Kosova duhet të tregojë një syçeltësi të jashtëzakonshme dhe të mos bëjë as indulgjenca të nxituara dhe as hapa, që i shkojnë lojës së Serbisë. Oferta serbe për Kosovën në OKB pa e njohur Kosovën si shtet është një kurth serb kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës. Çfarë do të thotë konkretisht një ofertë e tillë dhe a duhet ta pranojë Kosova? Së pari duhet thënë se Kosova duhet të peshojë nga pikëpamja strategjike prioritetin se çfarë i duhet asaj më shumë: anëtarësimi në OKB apo njohja si shtet i pavarur nga Serbia. Përgjigja, që dikton interesi kombëtar i sigurisë, i stabilitetit dhe i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, është se Kosovës i duhet më përpara që të njihet nga Serbia si shtet i pavarur, gjë që do të thotë që Serbia të heqë dorë nga rivendikimet koloniale mbi Kosovën, të cilat i ka shkruar edhe në Kushtetutën e saj. Kosova duhet ta ketë të qartë se nga njohja e Serbisë si shtet i pavarur ajo do të shkojë tek anëtarësimi në OKB, por nga anëtarësimi në OKB nuk mund të shkojë dot te njohja e saj prej Serbisë.
Formula e qeverisë serbe me planin e ri për t’i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur atë, është, në fakt, një formulë dinake, që unë do ta quaja “formula ukrainase”. Formula ukrainase është që një entitet bëhet anëtar i OKB, pa u njohur si shtet i pavarur dhe duke pasur statusin e të qenit pjesë e një shteti tjetër. Njësoj siç u bë Ukraina anëtare e OKB në vitin 1945 dhe ishte pjesë e një shteti tjetër, e Bashkimit Sovjetik. Pra, anëtarësia në OKB nuk i dha Ukrainës statusin e shtetit të pavarur dhe as të njohur ndërkombëtarisht si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Askush nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me Ukrainën deri në vitin 1991, kur pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, ajo u bë shtet vërtet i pavarur. Pikërisht këtu qëndron thelbi i dinakërisë bizantine të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Duke i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, ata jo vetëm nuk e njohin Kosovën si shtet, por sanksionojnë të drejtën ta konsiderojnë pjesë të Serbisë, njësoj si Bashkimi Sovjetik dikur Ukrainën.
Institucionet qeveritare të Kosovës duhet të jenë tepër të vëmendshme dhe të mos hutohen nga joshja prej karriges në OKB. Kina, një fuqi e madhe, mbeti 22 vjet jashtë radhëve të OKB. Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Anëtarësimin në OKB Kosovës mund t’ia japë Rusia, duke hequr veton si anëtare e KS të OKB, dhe jo Serbia, sepse po desh Rusia, Kosova hyn në OKB edhe pa lejen e Serbisë. Por nuk desh Rusia, Kosova nuk hyn në OKB edhe sikur të dojë Serbia. Pra, Serbia po kërkon të shesë diçka, që në fund të fundit nuk është kompetencë e saj. Nuk besoj se Rusia do të futet në një pazar të vogël ballkanik për sytë e bukur të Serbisë. Po të vijë puna deri futja e Kosovës në OKB, Rusia do t’i kërkojë Perëndimit diçka të madhe mbiballkanike, që ka lidhje me Krimenë, me Abhazinë apo Osetinë e Jugut.
Problemet e mprehta të kërcënimit për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës vijnë nga Serbia dhe jo nga OKB. Ato probleme nuk i zgjidh OKB-ja. Ndaj Kosova duhet të jetë e qartë dhe e ftohtë që bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës nuk po bëhen për të hyrë në OKB, por që të përfundojnë në një marrëveshje apo traktat të njohjes reciproke midis dy shteteve. Anëtarësimi në OKB është objektiv pas sanksionimit të njohjes së Kosovës nga Serbia, sepse njohja mbyll zyrtarisht dhe juridikisht çdo rivendikim serb ndaj saj.
Është tepër e rëndësishme që Kosova në kanale diplomatike të hedhë poshtë planin serb të “formulës ukrainase” dhe t’i bëjë të qartë Serbisë, por edhe BE-së, se Kosova nuk do t’ia japë Serbisë alibinë e re të OKB. Zgjidhja e vetme për normalizimin e marrëdhënieve është respektimi i kushtit të kushteve, që është njohja e Kosovës nga Serbia. GSH