Kurteshi, me gjithë arrestin shtëpiak, nga Manifestimi ka një porosi për pushtetin

E publikuar: 12/12/2015 13:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi është paraqitur në Manifestimin për Republikën, që opozita po e mban në Gjilan, ani pse ka masën e arrestit shtëpiak. Policia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje të tregojë të shtunën nëse për një gjë të tillë deputeti Kurteshi ka marrë leje. E kontaktin me Prokurorinë e Shtetit portali e ka pasur të pamundur të shtunën.

Sidoqoftë, Kurteshi ka thënë se është aty që edhe në cilësinë e qytetarit, por edhe të deputetit për mbrojtje të Republikës.

“Ne jemi sot këtu duke e kryer detyrën tonë qytetare, e unë edhe atë të deputetit që më ngarkon mua, sikur secilin prej jush që ta mbrojmë Republikën me çdo kusht, këtë vend që me gjak e sakrifica e kemi sjell deri këtu”, ka thënë Kurteshi, përcjell koha.net. “Republikën do ta mbrojmë, ndërsa mbesim të vendosur që Kosovën ta bëjmë shtet sovran”, ka shtuar më tej ai.

Kurteshi ka thënë se sikur të mos kishin biseduar politikanët e Kosovës me Serbinë, nuk do ta kishte Serbi brenda Kosovës, e me reciprocitet do të flisnim sot edhe për shqiptarët e Luginës. Për politikanët në pushtet ai ka pasur një porosi.

“Hiqni dorë nga evokimi i të drejtave të Serbisë në Kosovës, sepse ata në fund do t’ju hedhin në plehra të historinë, bëhuni me popullin, sepse populli ua ka kthyer shpinën, ndërsa dijeni që ‘Zajednica’ nuk kalon”, ka thënë Kurteshi.