Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Komisionin Qendror Zgjedhor rreth votimit me postë nga diaspora.
Kurteshi si përfaqësues i LVV-së në KQZ në një konferencë për media tha se procesi zgjedhor po minohet haptazi nga LDK dhe PDK, njofton Klan Kosova.
“Këtë konferencë e kemi thirre me qëllim të nxjerrjes së të gjitha fakteve dhe të bëjmë transparente gjendjen e krijuar në lidhje me votimin jashtë vendit. Nga numri i madh i aplikimeve në KQZ nga jashtë tani ende nuk e kemi listën përfundimtare që tregon saktë se sa aplikues janë aprovuar, sa janë refuzuar dhe si ka kaluar i gjithë procesi i verifikimit përmes telefonit”.
“Me aq sa dimë ne verifikimit përmes telefonit nuk ka përfunduar ende që do të thotë se sot është 2 shkurti ku është dashur të fillohet me fletëvotimit nga jashtë vendit”.
Kurteshi foli rreth shkeljeve penale që sipas tij i ka bërë KQZ.
“KQZ ende nuk është e përgatitur – ka shkel këtë afat dhe kjo është një ndër shkeljet më të rënda. Por, kjo nuk është shkelja e parë ose e fundit në këtë proces zgjedhor të cilin janë duke e minuar haptazi partitë e mëdha politike PDK dhe LDK bashkë me kryesuesen e KQZ-së, Valdete Daka”, tha Kurteshi.
“Tejkalimi i parë i afatit është bërë me periudhën e kundërshtimit më 25 janar kur është dashur të fillojë periudha e kundërshtimit të listave të certifikuara të aplikuesve jashtë vendit – kjo është tejkaluar moti”.
“Vonesa e publikimit të listave përfundimtare është evidente, ne ende nuk e kemi listën përfundimtare të votuesve jashtë vendit – ata nuk mund ta dinë se kush është certifikuar dhe kush jo. Verifikimi me telefon ka mbetur diku rrugës dhe askush nuk e di saktësisht se sa njerëz janë telefonuar”, është shprehur Kurteshi.
Tutje Kurteshi shtoi se e gjithë kjo është shkelje brutale e të drejtave të tyre për votë.

















