Një ankesë, që është adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) në lidhje me tenderin për “Furnizim me materiale për Kardiologjinë”, mund ta lërë QKUK-në pa stenta, pasi në OSHP ka mungesë të Bordit Shqyrtues që do t’i shtynte procedurat
Ankesat e operatorëve për dyshime të përshtatjes së disa specifikave për prodhuesin “Boston Scientific” në tenderin për “Furnizim me materiale për Kardiologjinë”, i shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), mund ta lërë spitalin më të madh kosovar pa këto materiale.
Kjo pasi në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) ka mungesë të anëtarëve të Bordit që shqyrtojnë ankesat, derisa tashmë zyrtarisht në OSHP ka mbërritur ankesa e parë.
Është operatori i pajisjeve mjekësore “KosovaMed” ai që ka paraqitur një ankesë në OSHP, pasi ky operator kosovar pretendon se në këtë tender specifikat i janë përshtatur prodhuesit tjetër konkurrent “Boston Scientific”.
Sipas procedurave, kompania ankuese ka lënë një peng ankimor në vlerë prej 500 eurosh dhe nëse ankesa e kësaj kompanie nuk aprovohet, atëherë këto para nuk do t’i kthehen kësaj kompanie. Në të kundërtën, nëse ekspertët e OSHP-së vlerësojnë se bëhet fjalë për kurdisje tenderi, atëherë lënda do të duhej riproceduar si dhe kompanisë do t’i kthehet pengu.

















