I rrethuar nga gërmadhat e qytetit sirian nga i cili ai shpresonte t’i shpëtonte fëmijët, Abdullah Kurdi, ishte në gjendje të keqe shpirtërore pasi varrosi djemtë e tij, Aylanin, trevjeçar, dhe Galipin, pesëvjeçar.
Vendlindja e tij Kobane tashmë ka përjetuar mijëra furnerale dhe së fundmi varrosi djemtë e tij, të cilët u fundosën me nënën e tyre derisa ishin në kërkim për një jetë më të mirë në Evropë.
Përkundër ngushëllimeve dhe ofertave të ndryshme për një jetë të mirë në Perëndim, Kurdi nuk është më i interesuar.
Në një intervistë rrënqethëse për “The Sunday Telegraph”, ai tha se së bashku me dy djemtë e tij, ka varrosur edhe shpirtin e tij.
“Asgjë nuk mund t’më kompensoj mua”, tha ai me lot në sy. “Nëse ju më jepni gjithë botën, nuk ia vlen më krahasuar me humbjen e fëmijëve të mi. Tani kërkoj nga Zoti që të më jap durim”, shtoi ai, transmeton Koha.net.
“Po ëndërroja për fëmijët e mi dhe ata tani kanë shkuar, me ta është shuar edhe ëndrra ime. Me ta kam varrosur shpirtin, ndjenjat dhe mendjen time. Tani ato janë në varr”.
Kurdi intervistën e realizoi nëpërmjet telefonit pasi u rikthye në Kobane derisa ka shtuar se pak momente para vdekjes, gruaja e tij i kishte kërkuar që t’i shpëtonte djemtë, jo atë.
“Nëna e tyre më luste që t’i shpëtoja djemtë jo atë”, tha ai.
“Aylani më thoshte ‘Baba, Baba’, të vetmet fjalë që i dinte”, rrëfen momentet e fundit të djalit të vogël.
Derisa djali i madh i kishte thënë: “Baba, uji po më fundos, na sole këtu për të vdekur”.
“A mund ta imagjinoni? Unë fëmijët e mi i dërgova drejt vdekjes”.