Ish-bashkëveprimtari i Zahir Pajazitit, Bislim Zogaj, ka dhënë detaje në lidhje me takimin e fundit që ai e ka pasur me vetë Zahir Pajazitin.
Zogaj tha se takimi i tij me Zahir Pajazitin ka qenë pas një telefonate që e kanë zhvilluar.
Ai tha se pas arrestimit të Nait Hasanit, është takuar me Xheladin Gashin dhe Sokol Bashotën, si pjesëtarë të shtabit operativ, ku edhe janë konsoliduar se si duhet vepruar tutje si shtab, pas arrestimit të Hasanit.
Më tej, ai tha se telefonatën me Zahirin e ka bërë me metafora ose kode, teksa shtoi se deri në ditën e takimit Zahir Pajazitit i është drejtuar si “Ismeti”.
“Të nesërmen e kam thirrë Zahirin, me metaforë i kam thënë se të hënën duhet të takohemi në Malishevë, sepse atëherë Zahiri, Naitin e ka njohur si Abazi, dhe me i tregu se Abazi ka qenë në spital, pra një një formë me i tregu se është arrestuar”.
“Zahiri më ka thënë se nuk e di a mund të dal të hënën, dhe më ka pyetur se a mund të takohemi në Prishtinë dhe ai ka kërkuar që të takohemi në orën 16:00 në stacioni e autobusëve në Prishtinë, dhe atëherë nuk e kam njohur si Zahir, por si Ismet”, është shprehur Zogaj.
Sipas Zogajt, Zahir Pajaziti, pas marrjes së informatave në lidhje me arrestimin e Nait Hasanit, ka kërkuar nga ai që për veprimet tutje të takohen të nesërmen.
“Pasi jemi takuar në orën 16, ne kemi folur drejtpërdrejt, ku më ka pyetur për Naitin dhe i kam treguar se është arrestuar. Për veprimet tutje me ka thënë se e lëmë nesër, dhe takohemi në Prishtinë se kam obligim tjetër”, është shprehur Zogaj.
Më tej, ai tha se menjëherë pas këtij takimi, ai është arrestuar ndërsa Zahir Pajaziti ka rënë në pritë.
“Takimi jonë, telefonata jonë është përgjuar dhe shërbimi serb, disa prej tyre kanë ardhur tek unë e disa kanë shkuar nga ana e Zahirit”, ka thënë Zogaj, njofton Klankosova.tv.


















