Babai i Valon Behramit, Ragipi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të distancohet nga deklaratat fyese ndaj familjes së tij të zëvendësministrit, Gani Koci. Ragipi thotë se ministrat janë për ta hequr lloçin nga stadiumet, e jo për t’i përlloçur yjet, siç është Valon Behrami, të cilit i mungon në shpirt himni i vendit të tij.
Në kohën kur Valon Behrami dhe futbollistët tjerë shqiptarë të Zvicrës u ballafaquan me një situatë të keqe në kampin e tyre, ku disa lojtarë zviceran e kishin ngritur zërin kundër tyre, për shkak se nuk e këndojnë himnin e helvetikëve, futbollisti i Hamburgut – kur po mundohej ta qetësonte situatën në kampin zviceran – u sulmua edhe nga Kosova. Zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës, Gani Koci, nëpërmjet rrjeteve sociale tha se axha i Valonit kishte qenë, sipas tij, inspektor i Sigurimit Shtetëror të ish-Jugosllavisë. Ky pretendim i Kocit është quajtur i turpshëm nga babai i Valonit, Ragipi, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të distancohet nga zyrtari i lartë i saj. “Ajo çka e ka thënë ai zëvendësministër është e turpshme, siç është vetë ai i turpshëm. Nuk e di as çka ka dashtë me thënë, kur asnjëherë s’kemi pasur lidhje me Serbi. I qoftë turp atij dhe Qeverisë së Kosovë që angazhon asi njerëz në udhëheqësinë e shtetit. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, sepse aty ka edhe njerëz të ndershëm, të distancohen prej tij”, deklaroi për “Zërin” babai i Valon Behramit. “Ai njeri duhet ta shfrytëzoj pushtetin që e mban dhe ta heqë lloçin nga stadiumet e Kosovës, e pastaj le të flasë për Valonin, Xherdanin, Granitin dhe këta djem që kanë bërë shumë për Kosovën. E pashë një lojë të Kosovës në lloç, ku nuk dalloheshin lojtarët a janë të zinj apo të bardhë nga lloçi, dhe më erdhi keq jashtëzakonisht shumë, sepse ata djem nuk kanë faj, por çifti i këtij ministri”, theksoi Ragipi. Ai pohoi se pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA do të merret vesh se kush është patriot, e kush tradhtarë. “Pasi të pranohet Kosova në UEFA e FIFA ai njeri i turpshëm do ta shohë se kush është patriot e kush është tradhtar. T’i vijë turp që mundohet ta njollosë një karrierë të një djali që nuk di asgjë tjetër, veçse të luajë futboll, të krenohet me prejardhjen e tij shqiptare, dhe të jetë korrekt me një shtet që e ka sjellë deri këtu”, u shpreh Ragipi. “Kur unë kam ardhur në Zvicër, e kam pas vetëm një çantë me vete. Zvicra më dha gjithçka, mua, familjes time dhe Valonit. Valoni e ka për obligim ta ndihmojë vendin që i dha gjithçka. Valoni dhe shokët e tij nga Kosova e ndjejnë më së shumti mungesën e himnit të vendit të tyre, andaj sulmohen. Ndërsa, tani sulmohen edhe nga pseudo-patriotët e Kosovës. Le t’i vijë turp çiftit të tij, por Valoni gjithmonë do të vazhdojë ta dojë vendin e tij, Kosovën, dhe do të vazhdojë me përpikëri t’i kryejë obligimet morale ndaj Zvicrës”, përfundoi Behrami./veqsport.com/