Do të hapen apo nuk do të hapen dosjet e pasurive për punonjësit e sistemit të drejtësisë? Kjo është pyetja që prej kohësh ka mbetur pezull, duke sjellë mosbesim tek taksapaguesit, të cilët të ndikuar nga lojrat politike dhe gurët ndër rrota që përpiqen ti vendosin unionet, e kanë venë në dyshim suksesin e reformës në Drejtësi. Sigurisht edhe të vettingut si pjesë themelore e saj. Pra, do nis apo nuk do të nis procesi I vettingut. Nëse po kur? Janë pyetje të mbetura pezull edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që në një publikim të sotëm gazeta “Sot” jep përgjigjen.
“Dosjet e para të pasurisë, për gjyqtarët dhe prokurorët, priten të hapen pas 5 tetorit”, raporton gazeta, duke vijuar sqarimin: ”Kjo kastë e sistemit të drejtësisë do të kalojë në sitë pas kësaj date, menjëherë pas miratimit të dy projektvendimeve për strukturën e komisioneve të vetingut. Sipas kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit, në datën 5 tetor do miratohet në seancë plenare projektvendimi “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Menjëherë pasi të jetë miratuar struktura e këtyre dy organeve të reja, do të hapen dosjet e para për prokurorët dhe gjyqtarët. Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, paralajmëroi se vetingu do të nisë zyrtarisht në 18 shtator. Kjo do të thotë se nga dita e hënë do nisin përgatitjet dhe diskutimet për gjithçka që ka të bëjë me procesin e vetingut, në mënyrë që pas 5 tetorit të nisë puna dhe të jepen efektet e para.
Aktualisht, ILDKP dhe Hipotekat në mbarë vendin po bashkëpunojnë për të verifikuar pronat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kuadër të procesit të vetingut. Janë dy grupe pune që po operojnë enkas për verifikimin e dosjeve të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto grupe janë hedhur në terren dhe po punojnë intensivisht për të kapur kohën. ILDKP i dërgoi Hipotekës një listë të dytë, e cila në përmbajtje të saj kishte një numër më të madh subjektesh që do të kontrollohen e që janë të afërm të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Do të jetë kjo listë baza që do të merret parasysh në kontrollin e pasurisë që do t’u bëhet personave të sistemit të drejtësisë. ILDKP do të kontrollojë të dyja datat nëse ka apo jo ndryshime dhe transferimeve të muajve të fundit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /CityNews


















